META, AI dhe iluzioni i zgjedhjes: A jemi bërë thjesht “karburant” për algoritme?

META, AI dhe iluzioni i zgjedhjes: A jemi bërë thjesht “karburant” për algoritme?

“U dëgjuan aq shumë bubullima, sa më në fund ra shi”. Pas muajsh hamendësimesh, paralajmërimesh dhe presionesh rregullatore, META – kompania që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp – ka vendosur të përdorë përmbajtjet publike të përdoruesve madhorë në Bashkimin Evropian për të trajnuar modelet e saj të inteligjencës artificiale gjeneruese.

Ky vendim ka filluar të zbatohet nga ky muaj, duke prekur miliona përdorues që ndoshta nuk janë as të vetëdijshëm për këtë ndryshim të madh në mënyrën se si trajtohen të dhënat e tyre. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: çfarë kuptimi ka e drejta për të kundërshtuar trajtimin, kur ajo është bërë praktikisht e papërdorshme?

 

Çfarë do të përdorë konkretisht META?

Sipas njoftimeve dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare si Reuters dhe Politico, Meta do të përdorë:

  • Postimet dhe komentet publike në Facebook dhe Instagram;
  • Përshkrimet e fotove dhe videove publike;
  • Ndërveprimet me Meta AI, si pyetjet që i bëhen përmes Messenger ose Instagram.

Ndërkohë, mesazhet private, të dhënat e të miturve, si dhe përmbajtjet e WhatsApp nuk përfshihen në këtë proces.

 

E drejta për të kundërshtuar sipas GDPR

Neni 21 i GDPR parashikon që individi ka të drejtë të kundërshtojë në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tij personale, kur ky përpunim bëhet mbi bazën e interesave legjitime të një kompanie. Sipas udhëzimeve të EDPB, kontrolluesi i të dhënave është i detyruar të ndalojë menjëherë përpunimin, nëse nuk mund të provojë se trajtimi i të dhënave kryhet për arsye më të forta se të drejtat e individit.

Por si zbatohet kjo në realitet?

 

Një iluzion i kontrollit

Përdoruesit e BE-së duhet të plotësojnë një formular të posaçëm të Meta-s, ku kërkohet:

  • Vendbanimi dhe adresa e email-it të lidhur me llogarinë;
  • Një arsyetim individual se si përpunimi ndikon në mënyrë të veçantë ndaj tyre;
  • Konfirmimi i identitetit përmes një kodi që dërgohet me email.

 

Çfarë ndodh me të dhënat që janë përdorur tashmë?

Kundërshtimi vlen vetëm për të ardhmen. Nëse të dhënat publike janë përdorur tashmë për trajnimin e algoritmeve të inteligjencës artificiale, ato nuk mund të çfshihen nga modeli. Modelet gjeneruese ruajnë në mënyrë “të shpërndarë” dije, stil shkrimi, forma të komunikimit dhe referenca që nuk mund të gjurmohen më në burim.

 

Një çështje që prek edhe Shqipërinë

Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, përdoruesit shqiptarë janë pjesë aktive e universit së META-s. Dhe për më tepër, nuk gëzojnë të njëjtat garanci ligjore për mbrojtjen e të dhënave si qytetarët e BE-së, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili është përafruar ndjeshëm me standardet e GDPR.

Shumë shqiptarë përdorin Facebook dhe Instagram për çdo aspekt të jetës – nga reklamat e bizneseve të vogla, te komunikimi familjar dhe publikimet personale. Por nuk ekziston asnjë procedurë e qartë apo e detyrueshme për të kundërshtuar përpunimin e përmbajtjes publike nga Meta për qëllime trajnimi të AI-së, sikundër legjislacioni i ri përcakton.

Në këtë kontekst, vlen të përmendet se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri po bën një punë të lavdërueshme, veçanërisht në drejtim të hartimit dhe miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, megjithatë, në përballjen me gjigantët globalë të teknologjisë, politikisht jemi ende shumë të vegjël për të ndikuar drejtpërdrejt.

 

Çfarë mund të bëjmë?

  • Të kufizojmë përmbajtjet publike që ndajmë në rrjete sociale;
  • Të mos ndërveprojmë me Meta AI, nëse nuk jemi të qartë mbi pasojat e përdorimit të të dhënave;
  • Të mbështesim transparencën dhe institucionet që e promovojnë atë, si Komisioneri ynë për Mbrojtjen e të Dhënave;
  • Të ndërgjegjësojmë njëri-tjetrin për mënyrën se si funksionon inteligjenca artificiale dhe si përdoren të dhënat tona.

 

Përfundim: Liria në epokën digjitale nis me vetëdijen

Kur të dhënat tona përdoren për të ndërtuar makina që “mendojnë”, “krijojnë” dhe një ditë ndoshta edhe vendosin, pyetja nuk është vetëm ligjore, por edhe etike:

 

Sa të gatshëm jemi të heqim dorë nga vetja për komoditetin e teknologjisë?

E drejta për të kundërshtuar ekziston. Por nëse ajo është e fshehur, komplekse dhe e kufizuar në kohë, atëherë mbetet vetëm një iluzion. Në një botë ku inteligjenca artificiale po mëson nga ne, të mos flasim është një mënyrë tjetër për të thënë “po”.

Liria jonë nuk do të merret me dhunë, por me “klikime” të pavetëdijshme. Dhe nëse nuk reagojmë sot, nesër nuk do të kemi më as ç’të mbrojmë. Sepse në një botë ku algoritmet mësojnë nga ne, çdo gjurmë që lëmë është një dorëzim i vetvetes – përjetësisht. Në epokën e inteligjencës artificiale, njeriu rrezikon të bëhet e dhëna e vet. Dhe kur nuk kontrollon më të dhënat që të përkufizojnë, atëherë nuk kontrollon më as lirinë që mendon se ke.

ITAKA7
Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.