
GDPR në udhëkryq! A do të sakrifikojë Europa privatësinë për hir të inovacionit?
Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), miratuar në vitin 2016 dhe në fuqi që prej vitit 2018, ka qenë një prej shtyllave themelore të projektit europian për të garantuar të drejtat digjitale, mbrojtjen e të dhënave dhe sovranitetin teknologjik të BE-së. Ajo vendosi standardin më të lartë global për mbrojtjen e të dhënave personale dhe u kthye në një model përsosmërie për shumë juridiksione. Por, në sfondin e sfidave të reja gjeopolitike dhe teknologjike – të nxitura nga inteligjenca artificiale, dominimi i platformave globale dhe gara për lidership ekonomik – Bashkimi Europian po konsideron një ridimensionim të thellë të qasjes ndaj kësaj norme.
Në këtë kontekst, Raporti Draghi, i publikuar në vitin 2024, mund të jetë një pikë kthese historike për krijesën normative të GDPR-së. Ai ngre pyetje thelbësore për mënyrën se si BE-ja duhet të reformojë qasjen ndaj inovacionit dhe kuadrit rregullator, për të mos mbetur pas në konkurrencën globale. Por njëkohësisht, raporti ka ngritur shqetësime serioze midis juristëve, specialistëve në fushën e privatësisë dhe institucioneve të të drejtave të njeriut për rrezikun që kjo qasje mund të çojë në zbehjen e standardeve të mbrojtjes së të dhënave, dhe për pasojë në cenimin e të drejtave themelore të njeriut.
Raporti Draghi: drejt një paradigme të re
Raporti propozon që BE-ja të zhvendosë qasjen nga një sistem rregullator mbrojtës në një model që lehtëson inovacionin. Sipas Draghit, rregullat aktuale – përfshirë GDPR-në – janë shumë kufizuese për zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale, përpunimit të të dhënave në masë dhe kërkimit shkencor.
Kritikat kryesore ndaj GDPR-së në raportin Draghi janë:
-
Kompleksiteti i procedurave të përputhshmërisë (compliance);
-
Fragmentimi i zbatimit midis shteteve anëtare;
-
Vonesa në proceset e autorizimit për transferimin ndërkombëtar të të dhënave;
-
Pengesat për zhvillimin e “modeleve europiane” të AI-së për shkak të kufizimeve të aksesit në të dhënat personale.
Kjo e fundit është një nga shqetësimet më të mëdha për konkurrueshmërinë e BE-së në sfidat globale për qasjen ndaj inteligjencës artificiale.
Rreziku për të drejtat themelore të njeriut
Sidoqoftë, çdo përpjekje për të “zbutur” GDPR-në vjen me një kosto potencialisht të lartë për të drejtat themelore të njeriut. Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave janë të sanksionuara në Kartën e të Drejtave Themelore të Njeriut (neni 7 dhe 8), dhe çdo ndryshim në këtë balancë mund të përfaqësojë një kërcënim strukturor për të gjithë arkitekturën normative të BE-së.
Tre janë rreziqet kryesore:
-
Normalizimi i përpunimit masiv të të dhënave në emër të “interesit publik” ose “inovacionit”, pa garanci të mjaftueshme për proporcionalitet dhe transparencë;
-
Erozioni i mekanizmave të kontrollit individual, duke zbehur të drejtën për informim, akses dhe fshirje;
-
Kapja rregullatore nga aktorët industrialë dhe teknologjikë, të cilët ndikojnë në përmbajtjen e reformave, duke favorizuar fleksibilitetin mbi mbrojtjen.
Skenari i mësipërm do të sillte si pasojë cenimin e të drejtave themelore të njeriut në BE dhe, rrjedhimisht, të vlerave demokratike që ajo ka promovuar historikisht.
BE-ja nën presion: SHBA, Kina dhe mungesa e reciprocitetit
Një nga arsyet që BE-ja po konsideron ndryshime në GDPR është presioni ndërkombëtar. SHBA-ja dhe Kina, si dy superfuqi teknologjike, kanë një qasje diametralisht të kundërt ndaj privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave.
-
SHBA-të vijojnë me një qasje të fragmentuar, ku ligje si CCPA në Kaliforni janë të lokalizuara dhe nuk ka një standard federal të krahasueshëm me GDPR-në. Marrëveshjet për transferimin e të dhënave (Safe Harbor, Privacy Shield, Data Privacy Framework) janë rrëzuar disa herë nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së, për mungesë të mbrojtjes së barabartë dhe mjeteve juridike efektive.
-
Kina, në anën tjetër, ka një sistem që favorizon mbikëqyrjen shtetërore, me ligje që lejojnë akses të gjerë të shtetit në të dhënat personale.
Përballë kësaj situate, BE-ja ndodhet në një pozitë të vështirë: ose të mbrojë vlerat e saj dhe të humbasë terren ekonomik, ose të adaptohet dhe të heqë dorë nga disa prej garancive të saj normative.
Një regres normativ apo adaptim i domosdoshëm?
Përkrahësit e reformës së GDPR-së pretendojnë se qasja aktuale është e padenjë për epokën e AI-së, dhe se pa një fleksibilitet më të madh, BE-ja nuk mund të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën. Por kritikët e konsiderojnë këtë si një hap mbrapa – një lëshim që mund të dëmtojë jo vetëm të drejtat e individit, por edhe besueshmërinë normative të BE-së në arenën globale.
Nëse BE-ja pranon të zbusë mbrojtjen për hir të efikasitetit ekonomik, a do të ketë ende legjitimitetin për të kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut nga partnerët e saj tregtarë? Ky është një test moral dhe politik i vetë identitetit europian.
Si do të jetë e ardhmja?
Rishikimi i GDPR-së mund të jetë një mundësi për përmirësim teknik dhe zvogëlim të barrierave të panevojshme, por nuk duhet të kthehet në një instrument të mos-normimit të privatësisë. Ruajtja e balancës midis inovacionit dhe të drejtave themelore është çelësi i suksesit dhe besueshmërisë së Bashkimit Evropian. Kjo e fundit nuk duhet të përkufizojë veten vetëm si një treg – i cili, sigurisht, duhet të jetë konkurrues dhe të përshtatet me inovacionin – por duhet të ruajë me çdo kusht atë që e dallon nga shtetet apo bashkësitë e tjera: SI NJË BASHKËSI VLERASH.
Në vend që të ndjekë modelet e SHBA-së apo Kinës, BE-ja duhet të udhëheqë një rrugë të tretë: një model i bazuar në etikë, transparencë dhe mbrojtje efektive të individit – një model që duhet të kthehet dhe të udhëheqë standardin ndërkombëtar.
Ky është një artikull ekskluziv i ITAKA7 i mbrojtur nga ligji për të drejtën e autorit. Artikulli mund të citohet apo ripublikohet vetëm duke cituar “ITAKA7” shoqëruar me linkun përkatës të tij.