GDPR në udhëkryq! A do të sakrifikojë Europa privatësinë për hir të inovacionit?

GDPR në udhëkryq! A do të sakrifikojë Europa privatësinë për hir të inovacionit?

Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), miratuar në vitin 2016 dhe në fuqi që prej vitit 2018, ka qenë një prej shtyllave themelore të projektit europian për të garantuar të drejtat digjitale, mbrojtjen e të dhënave dhe sovranitetin teknologjik të BE-së. Ajo vendosi standardin më të lartë global për mbrojtjen e të dhënave personale dhe u kthye në një model përsosmërie për shumë juridiksione. Por, në sfondin e sfidave të reja gjeopolitike dhe teknologjike – të nxitura nga inteligjenca artificiale, dominimi i platformave globale dhe gara për lidership ekonomik – Bashkimi Europian po konsideron një ridimensionim të thellë të qasjes ndaj kësaj norme.

Në këtë kontekst, Raporti Draghi, i publikuar në vitin 2024, mund të jetë një pikë kthese historike për krijesën normative të GDPR-së. Ai ngre pyetje thelbësore për mënyrën se si BE-ja duhet të reformojë qasjen ndaj inovacionit dhe kuadrit rregullator, për të mos mbetur pas në konkurrencën globale. Por njëkohësisht, raporti ka ngritur shqetësime serioze midis juristëve, specialistëve në fushën e privatësisë dhe institucioneve të të drejtave të njeriut për rrezikun që kjo qasje mund të çojë në zbehjen e standardeve të mbrojtjes së të dhënave, dhe për pasojë në cenimin e të drejtave themelore të njeriut.

 

Raporti Draghi: drejt një paradigme të re

Raporti propozon që BE-ja të zhvendosë qasjen nga një sistem rregullator mbrojtës në një model që lehtëson inovacionin. Sipas Draghit, rregullat aktuale – përfshirë GDPR-në – janë shumë kufizuese për zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale, përpunimit të të dhënave në masë dhe kërkimit shkencor.

Kritikat kryesore ndaj GDPR-së në raportin Draghi janë:

  • Kompleksiteti i procedurave të përputhshmërisë (compliance);

  • Fragmentimi i zbatimit midis shteteve anëtare;

  • Vonesa në proceset e autorizimit për transferimin ndërkombëtar të të dhënave;

  • Pengesat për zhvillimin e “modeleve europiane” të AI-së për shkak të kufizimeve të aksesit në të dhënat personale.

Kjo e fundit është një nga shqetësimet më të mëdha për konkurrueshmërinë e BE-së në sfidat globale për qasjen ndaj inteligjencës artificiale.

 

Rreziku për të drejtat themelore të njeriut

Sidoqoftë, çdo përpjekje për të “zbutur” GDPR-në vjen me një kosto potencialisht të lartë për të drejtat themelore të njeriut. Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave janë të sanksionuara në Kartën e të Drejtave Themelore të Njeriut (neni 7 dhe 8), dhe çdo ndryshim në këtë balancë mund të përfaqësojë një kërcënim strukturor për të gjithë arkitekturën normative të BE-së.

Tre janë rreziqet kryesore:

  • Normalizimi i përpunimit masiv të të dhënave në emër të “interesit publik” ose “inovacionit”, pa garanci të mjaftueshme për proporcionalitet dhe transparencë;

  • Erozioni i mekanizmave të kontrollit individual, duke zbehur të drejtën për informim, akses dhe fshirje;

  • Kapja rregullatore nga aktorët industrialë dhe teknologjikë, të cilët ndikojnë në përmbajtjen e reformave, duke favorizuar fleksibilitetin mbi mbrojtjen.

Skenari i mësipërm do të sillte si pasojë cenimin e të drejtave themelore të njeriut në BE dhe, rrjedhimisht, të vlerave demokratike që ajo ka promovuar historikisht.

 

BE-ja nën presion: SHBA, Kina dhe mungesa e reciprocitetit

Një nga arsyet që BE-ja po konsideron ndryshime në GDPR është presioni ndërkombëtar. SHBA-ja dhe Kina, si dy superfuqi teknologjike, kanë një qasje diametralisht të kundërt ndaj privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave.

  • SHBA-të vijojnë me një qasje të fragmentuar, ku ligje si CCPA në Kaliforni janë të lokalizuara dhe nuk ka një standard federal të krahasueshëm me GDPR-në. Marrëveshjet për transferimin e të dhënave (Safe Harbor, Privacy Shield, Data Privacy Framework) janë rrëzuar disa herë nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së, për mungesë të mbrojtjes së barabartë dhe mjeteve juridike efektive.

  • Kina, në anën tjetër, ka një sistem që favorizon mbikëqyrjen shtetërore, me ligje që lejojnë akses të gjerë të shtetit në të dhënat personale.

Përballë kësaj situate, BE-ja ndodhet në një pozitë të vështirë: ose të mbrojë vlerat e saj dhe të humbasë terren ekonomik, ose të adaptohet dhe të heqë dorë nga disa prej garancive të saj normative.

 

Një regres normativ apo adaptim i domosdoshëm?

Përkrahësit e reformës së GDPR-së pretendojnë se qasja aktuale është e padenjë për epokën e AI-së, dhe se pa një fleksibilitet më të madh, BE-ja nuk mund të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën. Por kritikët e konsiderojnë këtë si një hap mbrapa – një lëshim që mund të dëmtojë jo vetëm të drejtat e individit, por edhe besueshmërinë normative të BE-së në arenën globale.

Nëse BE-ja pranon të zbusë mbrojtjen për hir të efikasitetit ekonomik, a do të ketë ende legjitimitetin për të kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut nga partnerët e saj tregtarë? Ky është një test moral dhe politik i vetë identitetit europian.

Si do të jetë e ardhmja?

Rishikimi i GDPR-së mund të jetë një mundësi për përmirësim teknik dhe zvogëlim të barrierave të panevojshme, por nuk duhet të kthehet në një instrument të mos-normimit të privatësisë. Ruajtja e balancës midis inovacionit dhe të drejtave themelore është çelësi i suksesit dhe besueshmërisë së Bashkimit Evropian. Kjo e fundit nuk duhet të përkufizojë veten vetëm si një treg – i cili, sigurisht, duhet të jetë konkurrues dhe të përshtatet me inovacionin – por duhet të ruajë me çdo kusht atë që e dallon nga shtetet apo bashkësitë e tjera: SI NJË BASHKËSI VLERASH.

Në vend që të ndjekë modelet e SHBA-së apo Kinës, BE-ja duhet të udhëheqë një rrugë të tretë: një model i bazuar në etikë, transparencë dhe mbrojtje efektive të individit – një model që duhet të kthehet dhe të udhëheqë standardin ndërkombëtar.


Ky është një artikull ekskluziv i ITAKA7 i mbrojtur nga ligji për të drejtën e autorit. Artikulli mund të citohet apo ripublikohet vetëm duke cituar “ITAKA7” shoqëruar me linkun përkatës të tij.

ITAKA7
Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.